Sela : Në zgjedhjet lokale do ta trefishojmë rezultatin

Lëvizja për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare (LR-PDSH) dega Çair, mbrëmjen e së mërkurës ka mbajtur kuvendin e degës në të cilin për kryetar dege është konfirmuar Faruk Avdiu, i cili deri më sot ka qenë ushtrues detyre i kësaj dege, njofton Zhurnal.mk.

Kryetari i LR-PDSH-së, Çair Faruk Avdiu, në një prononcim për Zhurnal, thotë se ende nuk është biseduar në ktë degë për kandidaturat e mundëshme për zgjedhjet lokale të tetorit.

“Ende nuk kemi biseduar për këtë çështje. Në rend të parë gjithmonë është kryetari i degës mirëpo kjo nuk do të thotë se ai zgjidhet perfundimisht si kandidat. Gjithësesi kur të vendosë kryesia ne do t’a bëjmë publike për opinionin emrin e kandidatit për komunën e Çairit”, tha Faruk Avdiu, kryetar i LR-PDSH-së Çair për Zhurnal.mk

Ai thotë ka intersim të jashtëzakonshëm dhe të madh nga ana e qytetarëve për tu anëtarësuar në LR-PDSH.

“Qytetarët masovikisht po na mbështesin. Ne kuvend kemi diku 50 kuvendarë në bazë të numrit të anëtarëve. Shpresojmë për rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale”, nënvizoi Avdiu.

Ndërsa kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, në pyetjen nga Zhurnal se sa pret që partia e tij në zgjedhjet lokale të tetorit ta risë rezultatin nga zgjedhjet parlamentare, Sela tha se është i bindur që shqiptarët e Çairit do ta votojnë masovikisht LR-PDSH-në.

“LR-PDSH-ja dita ditës po përforcohet dhe unë jam i bindur që në zgjedhjet lokale do t’i trefishojmë rezulatet nga zgjedhjet e kaluara. Shqiptarët gjithmonë kanë bërë befasi dhe besoj që edhe tani do të befasojnë me votat e tyre. Unë jam i bindur që shqiptarët e Çairit do ta votojnë masovikisht LR-PDSH-në”, tha Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së, për Zhurnal.mk.