Edhe një lajm katastrofal për Italinë para ndeshjes me Shqipërinë

Pas mungesës së sigurt të Marko Verratit, lista e të dëmtuarve të Italisë po vazhdon të zgjerohet me kalimin e orëve.

Pas Daniele De Rosit, do të kthehet në Romë edhe shoku i tij i skuadrës, Lorenco Pelegrini. Vendet e tyre do të zihen nga Galjardini dhe Kristante.

Në një moment delikat si ky kur “Axurrët” presin Maqedoninë të premten dhe udhëtojnë të hënën për takimin e fundit eliminator ndaj Shqipërisë, shtohen problemet për trajnerin Xhan Piero Ventura.Në orët e mbrëmjes, të dëmtuarve u është shtuar Andrea Beloti.

Lojtari i Torinos, pas ndrydhjes së gjurit në ndeshjen ndaj Veronës, kishte një fije shprese për t’iu bashkuar kombëtares italiane.

Vizita e hollësishme në Romë evidentoi një problem në gju, i cili kërkon të paktën një muaj pushim, me sulmuesin që është rikthyer në Torino dhe i jep përfundimisht lamtumirën kombëtares për sa u përket dy ndeshjeve të radhës.